Ligji i pashkruar historik i martesës së liderit

Ligji i pashkruar historik i martesës së liderit

Nga Kastriot Myftaraj

27 tetor 2010

Një ligj historik i pashkruar ka bashkuar fatin e të gjithë liderëve të të gjitha kohërave, pavarësisht nëse kanë qenë diktatorë apo demokratë, monarkë apo presidentë dhe kryeministra republikash, kryetarë partish të mëdha në vendet e tyre. Kjo ka të bëjë me martesën e tyre në kohën që kanë qenë liderë.
Kur Napoleon Bonaparti u martua për herë të dytë në vitin 1810, në kohën që ishte perandor i Francës, asgjë nuk të bënte të mendoje se kjo mund të sillte fatkeqësi për të. Napoleoni ishte atëherë në kulmin e fuqisë, duke qenë zot i Europës. Ai i kishte vënë Britanisë së Madhe të famshmen bllokadë kontinentale, e kishte bërë Rusinë praktikisht vasale të tij, duke i imponuar që edhe ajo t’ i bënte bllokadë Britanisë së Madhe. Madje martesa dukej si kulmi i fatit të mirë të tij se nusja, arkidukesha Marie Louise ishte vajza e perandorit të Austrisë. Për t’ u martuar me të Napoleoni u nda nga Josephine de Beuharnais me të cilën qe martuar në 1796, kur ende ishte thjesht një gjeneral. Katër vite pas martesës me Marie Louise, në 1814, Napoleoni u rrëzua nga froni prej ushtrive të monarkive europiane që pushtuan Parisin dhe u dërgua në internim, në ishullin e Elbës. Martesa e dytë, e bërë në kohën që ishte perandor, i solli fatkeqësi Napoleonit. Rasti i Napoleonit nuk është as i pari as i fundit, ai është thjesht ilustrimi i një ligji të pashkruar historik që është ilustruar me shumë shembuj para dhe pas tij. Martesa e liderit politik, në kohën që ai është lider, ka qenë gjithmonë prurëse e fatkeqësive për karrierën e tij.
Një nga rastet më të hershme dhe më të bujshme, është martesa e Mark Antonit, triumvirit (një nga tre bashkësundimtarët e Romës), me Kleopatrën, mbretëreshën e fundit të Egjiptit. Mark Antony (83 para e.s.-30 para e.s.) u rikthye në Egjipt në vitin 36 para e.s. dhe në vazhdim u martua me Kleopatrën, edhe pse në ndërkohë ishte i martuar në Romë. Kjo martesë i solli fatkeqësi bashkësundimtarit romak. Në vitin 30 para e.s. ai kishte pësuar një disfatë totale në luftën me rivalët e tij, për çka u detyrua që të bëjë vetëvrasje.
Mbreti i famshëm i Anglisë, Henry VIII, njeriu që e ndau kishën angleze nga Roma, u martua në vitin 1543 me Catherine Parr. Katër vjet më pas mbretërimit të këtij mbreti i erdhi fundi se në 1547 vdiq në moshën 56 vjeç. Benjamin Harrison ka qenë President i SHBA-ve në 1889-1893. Ai kishte shanse të mëdha për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 1896, çka iu kërkua me të madhe nga Partia Republikane. Por në vitin 1896 ai u martua, duke qenë i ve. Prej kësaj dite gjërat i shkuan keq. Ai nuk kandidoi në zgjedhjet e vitit 1896 dhe vdiq pesë vite më pas, në 1901. Ligji historik i mallkimit të martesës së liderit ishte ilustruar edhe një herë tjetër.
Presidenti amerikan Woodrow Wilson, pasi kishte mbetur i ve, u martua në vitin 1915, në kohën që ishte president. Që prej kësaj dite atij i shkuan punët keq, edhe pse u rizgjodh në vitin 1916. Në 1919, katër vite pas martesës, ai pësoi një hemorragji cerebrale e cila e bëri atë të paaftë për të ushtruar detyrën. Prej tetorit 1919, Wilson praktikisht pushoi së qeni President i SHBA-ve. Ai ishte bërë viktimë e ligjit historik të mallkimit të martesës së liderit.
Edhe fundi i Republikës së Weimar dhe ardhja e Reich të Tretë në Gjermani u shenjua me një ngjarje të tillë. Kancelari (kryeministri) i fundit i Republikës së Weimar, Kurt von Schleicher, kancelari i fundit i Gjermanisw së Weimar, në 1931 ishte martuar me Elisabeth von Henning. Qeveria e tij ra në janar 1933 për t’ i lënë vendin asaj të Hitlerit. Tre vite pas martesës, në 1934 von Schleicher u vra nga Hitleri në “Natën e Thikave të Gjata”. Pasardhësin e tij, Adolf Hitler, do ta ndiqte i njëjti fat. Hitleri u martua në 29 prill 1945, në kohën që ishte fyhrer i Gjermanisë (post ku bashkohej ai i presidentit dhe kancelarit). Hitleri do të vriste veten të nesërmen e martesës, në 30 prill 1945.
Kur Merylin Monro këndoi “Happy birthday Mr. President” në festën publike për ditëlindjen e Presidentit Kennedy, në 19 maj 1962, në një mënyrë të tillë që e bëri të qartë për gjithë botën se ata të dy qenë dashnorë, u shtuan zërat se midis tyre ishte bërë një martesë sekrete. Kjo pas zgjedhjes së Kennedy-t president, në 1960. Kennedy do të vritej në nëntor 1963. Lideri i PASOK, Andreas Papandreu u martua në 1989, për herë të dytë. Karriera e tij politike do të mbaronte në 1995, pasiqë në kohën që kur ai ishte kryeministër, pësoi një atak në zemër, me ç’ rast u çua në spital ku qëndroi derisa vdiq në 1996.
Nelson Mandela, Presidenti i parë zezak i Afrikës së Jugut, u martua për herë të dytë në vitin 1998, në kohën që ishte President. Me këtë rast edhe atë e zuri fatkeqësia historike e martesës së liderit. Një vit më pas, në 1999, ai nuk kandidoi më për një mandat të dytë, edhe pse ishte shumë mirë me shëndet (Mandela vazhdon të jetë gjallë). Mandela u kompromentua para opinionit botëror, kur për këtë martesë ishte i detyruar që të bënte tratativa me tribunë e gruas së tij, për të paguar një cmim, sipas dokeve tribale afrikane. E gjithë bota pa me habi dhe me argëtim se si Presidenti i një shteti që pretendonte të ishte modern, caktoi si negociator të vetin një mbret tribal, të quajtur Buyelekhaya Zëelibanzi Dalindyebo, i cili ndërmjetësoi mes Presidentit dhe tribusë së gruas, Graca Machel, ish gruaja e Presidentit të vrarë të Mozambikut! Edhe Mandelën e ndoqi mallkimi historik i liderit që martohet në kohën që është në pushtet.
Gerhard Schroeder pati fat që martesën e tij të katërt e bëri në vitin 1997, një vit para se të zgjidhej kancelar dhe dy vjet para se të bëhej kryetar i partisë së tij, asaj socialdemokrate. Kështu ai mundi të shpëtonte nga mallkimi historik i martesës së liderit, dhe qëndroi për tetë vite kancelar i Gjermanisë, pas martesës së radhës. Nikolas Sarkozy u martua me Carla Bruni në vitin 2008, në kohën që ishte zgjedhur President i Francës prej një viti. Që prej martesës atij i kanë shkuar punët keq dhe po të mendosh se mandati i tij presidencial mbaron në 2012, katër vite pas martesës, ai shikohet si viktimë e predestinuar e ligjit historik.
As Shqipëria nuk ka shpëtuar nga ligji i pashkruar historik në fjalë. Ahmet Zogu u martua në 1938, në kohën që ishte mbret. Një vit më pas, në 1939 ai humbi pushtetin dhe u detyrua që të largohet nga vendi. Fatos Nano, u martua në 2001, në kohën që ishte kryetar i PS. Katër vite më pas ai humbi pushtetin dhe eventualisht doli edhe nga politika.